Lajmet kryesorePistaFact

Intervistë me Lutfi Hazirin/ Si u përjashtua ideja e Serbisë të negociojë me Shqipërinë për Kosovën?!

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, në një intervistë ekskluzive për portalin Pista.News, ka zbuluar detaje interesante në takimin e tij me Ministrin e Pushtetit Lokal në Serbi të asaj kohe, Zoran Lonçar, gjatë bisedimeve të Vjenes për statusin final në vitin 2005.

Haziri ka thënë se Kai Aide e kishte përdorur si test këtë takim mes dy ministrave dhe, siç tha, ky takim përfundimisht e ka larguar Shqipërinë si palë në bisedimet Kosovë-Serbi.

“Kai Aide e kishte përdorë si test këtë takim nëse Kosova është e aftë vetë të negociojë çështjen e saj me Serbinë. Pra, ka qenë ky test që përjashtoi përfundimisht idenë serbe që të negociojë çështjen e Kosovës me palën shqiptare pa Kosovën. Serbia gjithmonë ka tentuar dhe insisutuar që të dialogojë me Tiranën për çështjen e Kosovës. Disponimi ndërkombëtar në atë kohë ka qenë i ndarë rreth kësaj ideje nëse duhet të negociojnë për Kosovën Tirana e Beogradi”, ka deklaruar Haziri për Pista.news.

Kohëve të fundit, sipas Hazirit, është aktivizuar kërkesa që Shqipëria me qenë palë në bisedimet finale Kosovë-Serbi, e që për të nuk duket e çuditshme e as befasuese.

“Tash është aktivizuar për herë të tretë, që për mua nuk është e çuditshme e as befasuese, kërkesa që Shqipëria me qenë pjesë e përmbylljes së normalizimit dhe një formulë që çon në mosrespektimin e parimit të mosbashkimit që Kosova e ka në Kushtetutë, sipas Pakos së Ahtisarit, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje politike që nënkupton formulën “less than Great Albania (Më pak se Shqipëria e madhe)”. Kjo parasheh shpërbërjen e Republikës së Kosovës”, është shprehur Haziri.

Duke folur për koalicionet e mundshme në të ardhmen, i dyti i LDK’së ka përjashtuar, në njëfar mënyre, bashkëqeverisjen me LVV’në, përderisa këta të fundit e mbajnë qëndrimin e njëjtë ndaj liderit historik të tyre, Ibrahim Rugova.

“Raporti i Lëvizjes Vetëvendosje ndaj figurës së Rugovës si lider e themelues i kësaj Republike mund të jetë determinues për mundësinë e bashkëpunimit nesër. Tash për tash, mosbesimi mes dy partive tona është i madh dhe kjo ka ndodhur, jo vetëm nga kontestimi i figurës së Rugovës, por edhe ai agresiviteti opozitar karshi Qeverisë Mustafa, që ka qenë i paparë deri në këto kohë dhe i papërsëritshëm, ndoshta”, ka thënë Haziri, në intervistën e gjatë për portalin Pista.

I pyetur nëse do të jetë kandidat i LDK për kryeministër dhe lider i partisë se a do të vazhdojë ta mbajë të njëjtin qëndrim për Luginën, nënkryetari i LDK’së tha se nuk do të tërhiqet për asnjë çmim, pavarësisht qëndrimit zyrtar që mban LDK sot përballë kësaj çështje.

“Kjo është padrejtësi që i’u është bërë shqiptarëve atje duke mbetur nën Serbi dhe Kosova e ka për borxh të bëj përpjekje maksimale për t’ua zgjidhur problemin. Dallimet që sot ekzistojnë në Kosovë rreth kësaj çështje bëhen kryesisht për inate politike”, tha ai.

Ndiqeni intervistën ekskluzive që nënkyetari i LDK’së, Lutfi Haziri, e ka dhënë për portalin Pista.News.