Politikë

Kosnett i kërkon LDK’së të mbetet konstruktive!

Lidhja Demokratike e Kosovës ka dhënë detaje për takimin e sotëm të mbajtur mes Ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett dhe nënkryetarëve të këtij subjekti, Vjosa Osmani e Lutfi Haziri.

Në një kumtesë për media, thuhet se Kosnett me Osmanin e Hazirin kanë diskutuar për situatën aktuale politike në vend dhe për bisedimet mes LDK-së e VV-së.

”Sot, nënkryetarët Dr. Vjosa Osmani dhe z. Lutfi Haziri janë takuar me Ambasadorin e SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për situatën aktuale politike në vend dhe bisedimet ndërmjet LDK-së dhe VV-së për formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e tetorit 2019.

Lidhja Demokratike e Kosovës vazhdimisht shprehë mirënjohjen dhe falënderimin e veçantë për mbështetjen që i kanë dhënë SHBA-të Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese.

Dr. Osmani gjatë takimit ka diskutuar për prioritetet e LDK-së në institucionet e ardhshme, në veçanti për zhvillimin ekonomik, procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe sundimin e ligjit dhe ka potencuar rëndësinë e bashkërendimit të qëndrimeve me partnerët tanë, SHBA-të dhe Bashkimin Evropian.

Kosnett inkurajoj LDK-në të vazhdoj qasjen konstruktive në proceset e Kosovës.

Në takim të pranishëm ishin nënkryetarët Dr. Vjosa Osmani dhe z. Lutfi Haziri dhe anëtarët e Kryesisë, Kujtim Shala dhe Besian Mustafa”, thuhet në kumtesë, njofton Klan Kosova.