4putroshat

Macet i kuptojnë emrat e tyre dhe me siguri thjesht zgjedhin t’ju injorojnë, thotë një studim

A keni menduar ndonjëherë nëse macja juaj po ju injoron sepse nuk e kupton emrin e saj? Disa studiues nga Japonia u përpoqën t’i nxirrnin një përfundim kësaj hamendje.

Dhe, kemi një lajm të keq: Sipas një studimi të botuar, studiuesit zbuluan se macet janë në gjendje të dallojnë emrat e tyre nga tingujt tjerë të rastësishëm.

Që do të thotë qartë se, po, thjesht macja juaj po zgjedh të mos ju përgjigjet thirrjeve tuaja.

Studiuesit kryen disa eksperimente me macet në shtëpitë ku jetonin, por pa praninë e pronarëve.

Studiuesit zgjodhën emra përafërsisht me të njëjtin theks dhe gjatësi si emri i maceve dhe bashkë me pronarin dhe një të huaj i regjistruan thirrjet e emrave. Mandej, atë e lëshonin në prani të maceve.

Pavarësisht se kush po fliste, shumica e maceve reaguan në një farë mënyre, duke lëvizur kokën apo në forma tjera, kur përmendeshin emrat e tyre.

“Nga rezultatet e të gjitha eksperimenteve, del se të paktën macet që jetojnë në familje të zakonshme mund të dallojnë emrat e tyre nga fjalët e përgjithshme dhe emrat e maceve tjera”, kanë shkruar studiuesit.

“Kjo është prova e parë eksperimentale që tregon aftësinë e maceve për të kuptuar thëniet verbale njerëzore”.

Studiuesit u përpoqën të eksperimentonin me macet që jetonin në një kafene të maceve, por zbuluan se macet nuk mund të dallonin emrat e tyre nga ato të maceve tjera në kafene.

Megjithëse studiuesit konkluduan se macet janë në gjendje të dallojnë emrat e tyre nga fjalë të tjera, studimi nuk ishte në gjendje të konkludonte nëse macet janë në gjendje të dallojnë emrin si një identifikues për ta ose thjesht një fjalë që mund të ketë kuptim të veçantë./Pista.News