Lajme

Meta nderohet me titullin më të lartë të Kroacisë

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, po qëndron në një vizitë shtetërore në Zagreb, ku është nderuar në një ceremoni solemne nga presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq, me titullin më të lartë të Republikës së Kroacisë, “Urdhri i Lartë i Mbretit Tomislav me Shirit dhe Yllin e Madh”.

Ky titull, Metës i është dhënë për “kontributin dhe veprimtarinë e tij të spikatur në forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe popujve tanë, dhe fqinjësisë së mirë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

Kreu i shtetit shqiptar tha se ky titull “më motivon për të punuar pa u lodhur për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera historike e tradicionale mes dy vendeve e popujve tanë në të gjitha fushat”, raporton Koha.net.

“Shqipëria dhe Kroacia, partnerë strategjikë, krah për krah në çdo sfidë”, shkroi Meta në profilin e tij në Facebook.

Gjatë ditës, Meta ka takuar homologen e tij kroate, Grabar-Kitaroviq, ku pas takimit, kreu i shtetit shqiptar, pasi ka falënderuar Kroacinë për “mbështetjen e jashtëzakonshme” dhënë Shqipërisë, ka shprehur zhgënjimin e tij me mungesën e një vendimi nga Këshilli i fundit i vendeve të Bashkimit Evropian për moshapjen e bisedimeve me vendin e tij dhe me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim.

“Por ne e vlerësojmë shumë nismën kroate në bashkëpunim edhe me disa vende të tjera, si Bullgarinë, Rumaninë edhe Greqinë për të ndërtuar konsensusin e duhur brenda këtij Unioni. Megjithatë, ne jemi të vendosur, bashkërisht edhe me Maqedoninë e Veriut, se do të dyfishojmë e trefishojmë përpjekjet tona në javët që vijnë, në muajt që vijnë, në mënyrë që të kemi mundësi për një vendim pozitiv së afërmi”, u shpreh Meta.

Ai tha se është i lumtur që Kroacia do të marrë Presidencën e radhës së Bashkimit Evropian dhe tha se janë shumë të kënaqur për pozicionin mjaft të qartë të Kroacisë, “që anëtarësimi i vendeve tona të Ballkanit Perëndimor në BE është e vetmja alternativë dhe e pazëvendësueshme nga çdo lloj opsioni tjetër”.

Meta falënderoi homologen e tij kroate për ndihmën e vendit të saj pas tërmetit të shtatorit në Shqipëri, “pasi vendi juaj ishte ndër të parët që shprehu solidaritetin dhe kontribuoi me ndihma konkrete për të dëmtuarit nga ky tërmet”.

Kreu i shtetit shqiptar u shpreh i bindur se në të ardhmen, dy vendet do të kenë arritje shumë të dukshme në të gjitha fushat sidomos në ato të infrastrukturës, të energjisë, të turizmit ku ai veçoi në mënyrë të veçantë rëndësinë e gazsjellësit Adriatiko-Jonian për të ardhmen e vendeve dy vendeve, por edhe të të gjithë rajonit dhe në mënyrë të veçantë bashkëpunimin në fushën e mjedisit ku, sipas Metës, Kroacia luan një rol të rëndësishëm për të gjithë rajonin, në veçanti për mbrojtjen e detit Adriatik, por edhe në përgjithësi.

Ai tha se është kënaqësi të intensifikohet bashkëpunimin me Kroacinë, por edhe me Malin e Zi dhe partnerët e tjerë të interesuar për të forcuar politikat për mbrojtjen e Adriatikut dhe në përgjithësi për mbrojtjen e mjedisit në rajon.