Politikë

Mustafa: Kem pikëpamje të ndryshme me VV, por po bisedojmë t’i tejkalojmë dallimet

Seanca për shpërndarjen e Kuvendit është caktuar më datën 22 gusht, dhe tashmë edhe LDK-ja ka deponuar votat për mocionin.

Kryetari i kësaj partie Isa Mustafa, në një intervistë për EkonomiaOnline, thotë se janë të vendosur që të shpërndajnë Kuvendin dhe të shkojnë në zgjedhje të reja, në mënyrë që të formohet një qeveri legjitime.

Për koalicionet e mundshme parazgjedhore, i pari i LDK-së thotë se vullneti i anëtarësisë së kësaj partie është i vullnetit të shkojë vet në zgjedhje.

Thotë se partitë e mëdha do të ishte mirë të garojnë të vetme, pasi që është e vetmja mënyrë për të vërtetuar fuqinë reale.

Por situata do të ndryshojë nëse partitë tjera vendosin të shkojnë në koalicione parazgjedhore.

“Mund të them se tani për tani nuk kemi një përcaktim të qartë lidhur me sidomos me koalicioniet sepse është një qëndrim parimorë i LDK-së, i cili orientohet andej që është mirë ne të shkojmë veç e veç në zgjedhje, që këto partitë që e konsiderojnë veten që janë parti bartëse të demokracisë në Kosovë të shkojnë veç e veç dhe të matemi para qytetarëve ta marrim përkrahjen e tyre dhe në këtë formë jo vetëm se do të tregohemi se jo vetëm se kush është partie e cila ka besim më të madh para qytetarëve, por do ta marrim edhe përgjegjësinë e qeverisjes së vendit. Por në qoftë se të tjerët nuk i përmbahen kësaj rregulle natyrisht se edhe ne do ta rimendojmë qëndrimin tonë në këtë aspekt, dhe të shohim se me kë mund të qeverisim dhe t’i zgjidhim problemet që janë shumë aktuale dhe që janë para nesh”, thotë Mustafa.

Mustafa ka komentuar edhe takimin me liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin dhe mundësinë për një koalicion parazgjedhor me këtë parti.

Thotë se nuk ka biseduar për një temë të tillë, pasi që janë marrë vesh që për të përafruar qëndrimet duhet të krijojnë grupe teknike.

“Ne nuk kemi biseduar konkretisht për koalicione sepse jemi marrë vesh që, për koalicione duhet të zhvillohet biseda kushtimisht ndërmjet grupeve teknike të subjekteve politike në mënyrë në mënyrë që të shihen krejt parakushtet për koalicion dhe poashtu të duhet të vendoset në organet të LDK-së tash po flas për veti të cilat marrin qëndrim për koalicione, është këshilli i përgjithshëm i LDK-së”, thotë ai.

I pyetur nëse LDK-ja do të pranonte Albin Kurtin për kryeministër, Mustafa thotë se ende nuk kanë diskutuar për një mundësi të tillë, teksa shprehet se LDK-ja është e vendosur të udhëheqë me qeverinë e ardhshme.

“Nuk kemi biseduar për kryeministrin. Mirëpo vullneti edhe qëndrimi i LDK-së është që LDK-ja të hyn në zgjedhje për ta pasur kryeministrin e vet, sepse ne vlerësojmë që jemi parti më e madhe jo vetëm më e madhe që del në bazë të opinionit publik por edhe mbi bazën e deputetëve që kemi tash në Kuvendin e Republikës së Kosovës mbi bazën e komunave në të cilat qeverisim, natyrisht që kjo nuk është një trashëgimi që është trashëgimi i përhershme por se ne besojmë që kemi njerëz shumë të mirë të aftë të përgatitur që ta qeverisin vendin sepse edhe në qeverisjen e kaluar kemi treguar se jemi të zot që të qeverisim vendin në pikat në të cilat të tjerët nuk kanë qeverisur si duhet”, thotë ai.

Thotë se janë shumë tema për të cilat duhet të koordinohen me VV-në, por që nuk pranojnë e as nuk do vendosin kushte.

Ai e pranon se kanë pikëpamje të ndryshme rreth zgjidhjes së tyre, duke përfshirë dialogun, zhvillimi ekonomik, privatizimit etj.

Kushtet ne do t’i bisedojmë mos të them shprehimisht ose në mënyrë eksplicite për kushte sepse nuk është mirë që të vemi kushte njëra palë tjetrës,por janë disa çështje për të cilat ne duhet të tregojmë bashkërisht vullnet të mirë, është çështja e dialogut . Ne do ta shohim se si bashkërisht do të mund ta procedojmë, ose do të mund ta zhvillojmë dialogun”.