Politikë

Rasti Abazi- Molliqaj: Policia regjistron rastin si sulm, Njësiti i Hetimeve fillon hetimet

Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Haki Abazi dhe ai i PSD-së, Dardan Molliqaj pas përfundimit të një debati gjatë mbrëmjes së djeshme janë përleshur fizikisht.

Për këtë, policia e Kosovës ka thënë për Gazetën Blic se ky rast është iniciuar si rast sulmi. Kështu ka thënë zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti e cila ka thënë se informacionet për këtë përleshje PK i ka pranuar rreth orës 23:00.

“Mbrëmë rreth orës 23:00, kemi pranuar informatën lidhur me një incident (përleshje fizike), në Fushë Kosovë. Pasi që kanë përfunduar procedurat e nevojshme policore lidhur me ngjarjen në fjalë, është iniciuar rasti sulm”, tha Ahmeti.

Ajo ka shtuar se për këtë kanë intervistuar edhe Molliqajn e Abzin.

“Pas intervistimit të personave të përfshirë në rast, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në koordinim me prokurorinë përkatëse kanë filluar një hetim dhe janë duke punuar për sqarimin te gjitha rrethanave që lidhen me rastin, i cili me urdhër të prokurorit shkon në procedurë të rregullt”, përfundoi Ahmeti për Gazetën Blic.