Lajme

Shkaktoi aksident me fatalitet dhe iku nga vendngjarja

Një person ka vdekur dhe katër të tjerë kanë mbetur të lënduar nga një aksident trafiku i cili ka ndodhur sot në ora 10:00 në autostradën “Ibrahim Rugova”, përkatësisht në hyrje të qytetit të Suharekës.

Kështu kanë thënë për Gazetën Blic nga Policia e Kosovës “bazuar ne informacionet e para është raportuar për një aksident të rëndë trafiku me pasoja fatale, të shkaktuar sot në ora 10:00 paradite në autostraden “Ibrahim Rugova” ku edhe katër persona të tjerë kanë marrë lëndime trupore“.

Lidhur me shkaqet e këtij aksidenti nuk janë bërë të ditura detajet. Policia i ka thënë Gazetës Blic se njësitet kompetente policore për menaxhimin e trafikut ne autostrada janë duke u marr me rastin dhe duke hetuar shkaqet dhe rrethanat se si ka ardhë deri te ky aksident.

Mirëpo, dëshmitarë të rastit i kanë thënë Gazetës Blic se personi i cili ka shkaktuar këtë aksident ka ikur nga vendi i ngjarjes. Ai ka rrëfyer edhe momentin kur kanë mbërritur në vendin e ngjarjes.

“Në këtë aksident ka mbetur e vdekur një vajzë rreth 10 vjeç. Personi i cili e ka shkaktu këtë aksident ka ikur nga vendi i ngjarjes. Kur na u ndalem, ata që kanë pshtu prej aksidentit thanë që gati qe një orë ka ndodhë aksidenti”, thotë dëshmitari A. G.

Sipas tij, personi i cili e ka goditur veturën nga mbrapa e që e vdekur ka mbetur një vajzë, ka qenë me targa të huaja.

“Vetura e cila e ka goditur këtë veturën e aksidentuar, e ka prekur nga mbrapa dhe pastaj ajo është rrokullisur. Vetura tjetër, ka ikur në drejtim të Prizrenit”, tha ndër të tjera dëshmitari.

Ndryshe, Policia e Kosovës tha se autostrada drejtimi Duhël- Suharekë është bllokuar për qarkullim.