LajmeSport

Shqipëria vajton rezultatin në Nations League, vendi i dytë mund ta dërgonte në play-off

Tashmë që eliminatoret po shkojnë drejt fundit dhe pak nga pak po zbulohen të gjitha skuadrat që janë pranë kualifikimit në Euro 2020, është mëse e qartë edhe se cilat do të jenë kombëtaret që do të marrin pjesë në fazën play off të Nations League për të përcaktuar 4 ekipet e fundit që do të jenë pjesë e fazës finale të Euro 2020.

Me humbjen ndaj Turqisë, Shqipëria ka shanse shumë minimale për të luajtur për herë të dytë radhazi në këtë event madhor dhe më shumë sesa ajo humbje ndaj një përfaqësuesje me emër si Turqia, kuqezinjtë duhet t’i djegë fakti që nuk e mbyllën dot as në vendin e 2-të grupin 1 të Ligës C në Ligën e Kombeve pozicion që sot do t’i çonte në play-off kuqezinjtë e Rejas.

Në atë kohë kombëtarja që drejtohej nga Christian Panucci edhe pse fitoi ndeshjen hapëse ndaj Izraelit humbi tre sfidat e tjera të grupit 1 që tashmë mund të konsiderohen si një humbje e madhe për kuqezinjtë duke patur parasysh që 3 pikë të tjera në këto tre ndeshje do ta dërgonin Shqipërinë në play-off.

Aktualisht Skocia e ka të sigurtë vendin në play off pasi doli e para në grup por me renditjen aktuale dhe me vendet që do të lihen bosh nga skuadrat që do të sigurojnë kualifikimin direkt në Euro 2020 edhe Izraeli që doli i dyti në grupin 1 me 3 pikë më shumë se kombëtarja jonë do të marrë pjesë në play-off e Ligës së Kombeve dhe ka një tjetër shans për të hyrë në Europian, duke patur parasysh që nëpërmjet eliminatoreve e ka pothuajse të pamundur kualifikimin.

Nga azhornimi i fundit i UEFA-s, në bazë të renditjes aktuale të eliminatoreve, e vetmja gjë që mbetet për t’u përcaktuar është se 4 skuadrat më të mira për momentin të Ligës C, që nuk janë dy vendet e para të grupeve të tyre eliminatore dhe që nuk siguruan dot fazën play-off nëpërmjet Nations League, Bulgaria, Izraeli, Rumania dhe Hungaria, është se praninë në play-off e kanë të sigurtë por nuk dihet se në çfarë lige do të marrin pjesë A, B apo C, diçka që do të përcaktohet me short nëse deri në fund mbetet renditja aktuale në eliminatore.

Ka edhe nga ato kombëtare si puna e Islandës në Ligën A apo Irlandës së Veriut në Ligën B të Ligës së Kombeve që nuk morën asnjë pikë në këtë kompeticion, por që do të jenë në fazën play-off pasi skuadrat që kishin në ligë po kualifikohen pothuajse të gjitha direkt nëpërmjet eliminatoreve dhe ka mjaftueshëm vende të lira për fazat play off të Ligave A dhe B në Nations League.

Kuqezinjtë gjithsesi nuk janë djegur përfundimisht por kanë një mundësi të vogël për të qenë në play-offin e Nations League, por për këtë na nevojitet vërtetë një mrekulli me shumë kombinacione brenda.