Lajme

Sulmohet fizikisht Prokurori në Prizren

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin se gjatë ditës së sotme është sulmuar fizikisht prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, Atnor Skoro.

Prokurori Skoro ka përfaqësuar sot në gjykatë një aktakuzë në cilën ka qenë i përfshirë i pandehuri B.R, dhe rreth orës 13:00, duke u kthyer në vendin e tij të punës, afër objektit të Prokurorisë Themelore në Prizren, i dyshuari B.R. e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur në kokë, ku pas kryerjes së këtij akti, i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes dhe për momentin është në arrati.

Aktualisht, prokurori Skoro është duke marrë tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit për lëndimet e shkaktuara nga sulmuesi.