Shëndetësi

Tajlanda nis shpërndarjen e vajit të kanabisit për qëllime mjekësore

Tajlanda ka nisur shpërndarjen e prodhimeve të para të vajit të kanabisit për qëllime mjekësore, duke ua shpërndarë atë pacientëve të regjistruar. Mjekimi do u ofrohet pacientëve që vuajnë nga sëmundjet e artritit, migrenës, dhe dhimbjet e ndryshme kronike.

Pasi u bë shteti i parë aziatik që legalizoi kanabisin dhjetorin e kaluar, Tajlanda ka nisur zyrtarisht përdorimin mjekësor të narkotikut në spitalet e vendit.

Të mërkurën, (7 gusht) organizata qeveritare farmaceutike i dorëzoi Ministrisë tajlandeze të Shëndetit Publik 4,500 shishe 5-mililitërshe me vaj kanabisi për pacientet e regjistruar.

Një tjetër sasi do të shpërndahet gradualisht muajin e ardhshëm.

Sipas kreut të dikasterit qeveritar, legalizimi i kanabisit mjekësor u vjen në ndihmë të sëmurëve me artrit, epilepsi, apo dhimbje të ndryshme që mund të jenë pasojë edhe e trajtimit me kimioterapi.

Medikamenti do u ofrohet gjithashtu pacientëve që vuajnë me sëmundjen e Parkinsonit dhe Alcajmerit, por paraprakisht secili prej tyre duhet të ekzaminohet nga mjekët për të përcaktuar nëse duhet t’i nënshtrohen mjekimit me vaj kanabisi.

Vitin e ardhshëm, laboratorët e aprovuar për distilimin e kanabisit në Tajlandë parashikojnë të rritin sipëfaqen e kultivuar me bimën narkotike dhe të prodhojnë deri në 200 mijë shishe vaj kanabisi.

Me përjashtim të shteteve si Kanadaja apo Uruguaji, ku është legalizuar konsumi dhe shitja e kanabisit rekreativ, një numër shtetesh lejojnë vetëm përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore, mes tyre Greqia, Maqedonia e Veriut, Italia, Gjermania dhe 33 nga 50 shtetet amerikane.